21/07/2014

POLITIKANËT E SHANTAZHUAR NUK MUND T'I PËRFAQËSOJNË DHE MBROJNË INTERESAT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Xhevat BISLIMI
5 Prill 2014

Projekti autonomist per Kosovën i disa shtetëve dhe qeverive tashmë nuk përbën sekret. Ka disa vende dhe disa qeveri që ishin angazhuar hapur kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar. Këta dihen dhe njihen si miq të vjeter e të rinj të Sërbisë. Por, ka edhe disa shtete e disa qeveri tjera që nuk "munden" t'i kundërviheshin hapur përpjekjeve, luftës dhe të drejtës së Kosovës për liri e pavarësi. Kjo edhe për arsye se nuk mund ta kundërshtonin hapur angazhimin amerikan në krah të popullit shqiptar dhe të Kosovës. Një arsye tjetër (mbase kryearsyeja) ishte edhe fakti se populli shqiptar në Kosovë e në Iliri-Ballkan tashmë ishte aq i fuqishëm sa për ta ndezur zjarrin e luftës në Iliri e më gjërë, edhe në Evropë. Kjo mbase i frenoi disa shtete dhe qeveri që të dalin hapur dhe të angazhohen kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, këto shtete dhe këto qeveri punuan nën rrogoz dhe me një projekt shumë perfid... Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare "serbe" në Kosovë dhe në emër të mbrojtjës së pakicës serbe në Kosovë imponuan "zgjidhje" më të cilat garantuan praninë e Sërbisë në Kosovë, duke "bosnizuar" në një shkallë të rrezikshme dhe kërcënuese Kosovën ! Ky projekt në dukje "stabilizues" dhe "paqësor" në thelbin e tij është destabilizues dhe konfiktuoz me gjasa reale (në një moment të caktuar) për një luftë të re shqiptaro-serbe! Autonomia politike dhe territoriale për pakicën serbe në Kosovë dhe përvetësimi-uzurpimi i mbi 30% të territorit shqiptar nga një pakicë serbe, që nuk përbën më shumë se 5% të popullsisë së Kosovës, është një presedan i rrezikshëm për paqën dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Këto zgjidhje mund të "administrohen" nga Republika e Kosovës dhe nga kombi shqiptar vetem nëse do të kemi një fuqi të duhur ekonomike dhe ushtarake, adekuate për Sërbinë shoviniste. 

Pjesë e këtij projekti ishte edhe ndjekja, arrestimi dhe denimi sistematik i komandantëve dhe ushtarëve të UCK-së me akuza për "krime lufte dhe krime kundër njerëzimit" !! Argatë dhe mbështetës të kësaj fushate anticivilizuese dhe antinjerëzore (në kundërshtim me moralin dhe me të gjitha normat ndërkombëtare për luftërat mbrojtëse dhe çlirimtare...) u bënë gjatë këtyre vitëve të pas luftës edhe disa jugofilë (shqipfolës-jugonostalgjikë) dhe bashkëpunëtorë të devotshëm të Sërbisë fashiste. Organizimi dhe ndjekja sistematike e luftëtarëve të UCK-se kishte për qëllim ta "kompremetonte" luftën çlirimtare dhe kundërpushtuese të kombit shqiptar për Kosovën në sytë e opinionit ndërkombëtar, me qëllimin e fundit : "kriminalizimin" e saj ! Kjo ndjekje (gjueti shtrigash) u organizua dhe u zbatua me qellim që ta shtynin projektin e tyre kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila u bë hale në sytë dhe mendjet e tyre ! Krahas ndjekjes së pjesës më të madhe të luftëtarëve të lirisë u përdor edhe medota e korruptimit të klasës politike, të atyre që vdesin për ta ruajtur emrin (cilësimin...) "lider" ! Këta "liderë" e zyrtarë të lartë të partive politike dhe të institucionëve të Republikës u "nxitën" dhe u stimuluan nga të huajt në Kosovë dhe jashtë saj për t'u përfshirë në përfitime galopante të paligjshme, duke u pasuruar në rrugë dhe me metoda e mjete të kundërligjshme. Të gjitha këto i dinë dhe i kanë të "dokumentuara" të huajt dhe ua mbajnë mbi kokë politikanëve tanë si shpatën e Demokleut. Nënë kërcenimin e kësaj "shpate" politikanët tanë ("liderët") kanë pranuar dhe po pranojnë të bëjnë lëshime që tashmë kanë rrezikuar lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Edhe Gjykata e Hagës, edhe raporti famëkeq e mafioz i Dikmartit (në fakt i Këshillit të Evropës dhe pjesë e projektit antishqiptar dhe antiKosovë) ishin dhe janë në funksion të këtij projekti kundër UCK-kundërshqiptar! 

Me sa duket "finalja" e kësaj loje, e këtij projekti do të luhet-zhvillohet me themelimin e një Gjykate për "krimet" e UCK-së ! Edhe kjo është pranuar tashmë nga "liderët" tanë të shantazhuar dhe nën akuza e hetime për "krime" lufte, për "trafikim" organësh, për korrupcion dhe shpërdorime e afera të përmasave që as nuk mund t'i imagjinojë qytetari i zakonshëm... Kërkohet themelimi i një gjykate për denimin e "krimëve" të pretenduara, ndërsa nuk bëhet një gjykatë për denimin e krimeve, të gjenocidit dhe të holokaustit serb të dokumentuar dhe të superdokumentuar. Faktet e gjenocidit serb në Kosovë i kanë të gjitha të fotografuara dhe të dokumentuara këto vende dhe qeveri që po kërkojnë një gjykatë për "krimet" që pretendohet se i paska kryer UCK-ja ! Prandaj, me të drejtë populli i Kosovës do të kërkonte që këta politikanë dhe zyrtarë të lartë, të shantazhuar me e pa të drejtë të japin dorëheqje dhe të shpëtojnë vendin nga koncesionet e reja. Më mirë është të humbas dikush personalisht (qoftë edhe më i merituari për lirinë, pavarësinë, demokracinë...) se sa të pësojë humbje të reja Kosova dhe populli i saj... 

Në fund të fundit me një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane do të fitonin edhe ata që me të drejtë ose pa të drejtë hetohen, shantazhohen e përfolen për "krime", për korrupcion e shkelje të tjera. Politikanët e shantazhuar nuk mund t'i mbrojnë dhe as t'i përfaqësojnë interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Kosovës...